pre

Gara presidenciale, Kuvendi përgatitet për nisjen e procedurave

Kuvendi i Shqipërisë përgatitet këtë javë për nisjen e procedurave për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, ndërsa mandati i Presidentit aktual, Bamir Topi, përfundon më 24 korrik 2012. Rregullorja parlamentare Me Shume »

athine

Greqi, shpërndahet parlamenti, shpallen zgjedhjet më 17 Qershor

Doli sot në ora 9:00 në mëngjes dekreti presidencial që shpërndan parlamentin e zgjedhur në votimet e 6 Majit dhe shpall zgjedhjet e reja, më 17 qershor 2012. Që sot fillon zyrtarisht Me Shume »

nano

Presidenti, Arvizu:Nano ka 71

Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu deklaroi dje në mbrëmje se nëse Presidenti i ri i Shqipërisë do të zgjidhej me 71 vota dhe pas disa raundesh, kjo do të quhej një Me Shume »

cels-300x176

Çelsi, Kampion i Europës

Veteranët e Çelsit kanë përmbysur të gjitha parashikimet duke fituar Ligën e Kampioneve, për të bërë realitet një ëndërr disavjeçare të këtij klubi. Londinezët e kanë bërë një gjë të tillë duke Me Shume »

champions

Bayern-Chelsea, finalja e madhe e Champions

“Kemi kualitetin për të fituar këtë kupë”. Deklaratë optimiste kjo e  Roberto Di Matteo, trajnerit të Chelsea-t para finales së Ligës së  Kampioneve përballë Bayern-it. Tekniku italo-zviceran, i cili erdhi si trajner Me Shume »

Gara presidenciale, Kuvendi përgatitet për nisjen e procedurave

pre

Kuvendi i Shqipërisë përgatitet këtë javë për nisjen e procedurave për zgjedhjen
e Presidentit të ri të Republikës, ndërsa mandati i Presidentit aktual, Bamir
Topi, përfundon më 24 korrik 2012.

Rregullorja parlamentare (neni 109)
përcakton se Presidenti i Republikës zgjidhet në përputhje me nenet 86, 87 dhe
88 të Kushtetutës, me votim të fshehtë dhe pa debat. Konferenca e Kryetarëve
cakton datën e kryerjes së votimit për çdo raund votimi të përcaktuar në
Kushtetutë. Sekretariati për Procedurat dhe Votimet është komisioni i votimit, i
cili në këtë rast organizon dhe shpall publikisht rezultatin e
votimit.

Ndërkohë, komisioni i Ligjeve shqyrton nëse kandidatët për
president i plotësojnë kushtet e përcaktuara në Kushtetutë dhe i paraqet
raportin seancës plenare, sipas afatit të përcaktuar nga Konferenca e
Kryetarëve.

Sipas Kushtetutës (neni 87), procedura për zgjedhjen e
Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial
paraardhës. Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë
fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit
fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të
Kuvendit.

Sipas këtij neni, Presidenti i Republikës “zgjidhet me votim
të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi
zhvillon deri në pesë votime.Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë
nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera
zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit
pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë
kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë
të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni”.

Pas ndryshimeve që iu
bënë tekstit të kushtetutës në prill 2008, në raundin e pestë të votimit në
parlament, Kreu i shtetit mund të zgjidhet edhe me një shumicë prej 71 votash.
Ndërkohë që në proceset parardhëse Kreu i shtetit është zgjedhur me shumicë të
cilësuar, 84 vota.

“Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose
të tretë kur një kandidat merr jo më pak se 3/5 pestat e votave të të gjithë
anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President
kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të
Kuvendit”, thuhet në Kushtetutë.
Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në
zgjedhje të reja kur edhe pas këtij votimi asnjë kandidat nuk siguron shumicën e
kërkuar, ose kur pas dështimit të votimit të katërt nuk paraqitet asnjë
kandidaturë e re. Zgjedhjet e reja parlamentare zhvillohen brenda 45 ditëve nga
shpërndarja e tij dhe Kuvendi i ri e zgjedh Presidentin e Republikës që në
fillim me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij.

Greqi, shpërndahet parlamenti, shpallen zgjedhjet më 17 Qershor

athine

Doli sot në ora 9:00 në mëngjes dekreti presidencial që shpërndan parlamentin e
zgjedhur në votimet e 6 Majit dhe shpall zgjedhjet e reja, më 17 qershor
2012.

Që sot fillon zyrtarisht fushata elektorale e partive politike
greke. Kjo do të jetë një fushatë e ethshme. Partitë e njohura si forca
“antimemorandum”, të cilët premtojnë qëndrim në euro, njëherësh do të rreken të
bindin qytetarët se është shansi i tyre historik për t’iu thënë “jo”
përfundimisht masave të ashpra të kursimit, ndërsa partitë DRe dhe PASOK
vazhdojnë të këmbëngulin se ky lloj votimi është fatal për vendin, i cili do të
gjendet jashtë euros dhe i shkatërruar.

Shpresohet që në 17 qershor
pjesëmarrja në votime të jetë më e lartë për të bërë një diferencë të qartë
dhe që zgjedhësit të vendosin për kë do të votojnë, pasi të marrin parasysh atë
që thonë evropianet dhe kreditoret, se qëndrimi në euro dhe politika e
kursimeve, janë dy anët e së njëjtës medalje.

Çdo ditë ka raporte se
evropianët po marrin në konsideratë skenare të mundshme për dalje të Greqisë nga
eurozona. Në këtë kontekst mediat shkruajnë se është përzgjedhur kompania
britanike “De la Rue”, e cila në bashkëpunim me kompanitë vendase do të shtypë
kartmonedhën greke, dhrahminë, ndaj sytë dhe vëmendja janë kthyer drejt Greqisë
dhe rezultatit të zgjedhjeve, që do të dalë mbrëmjen e 17 qershorit.

Një
sondazh i ri i kryer nga kompania RASH dhe i publikuar sot në gazetën Metro,
nxjerr sërish në vend të parë koalicionin e së majtës radikale SYRIZA me një
diferencë prej 1.5% me Demokracinë e re.

Kështu SYRIZA ka marrë 21.7%, e
ndjekur nga Demokracia e Re me 20.2% dhe 11.7% me PASOK.

Në sondazh,
duket një rënie e partisë Grekët e pavarur në 7.35%, Partia Komuniste me 5.55%
dhe Agim i Artë me 3.7% sërish bëhet forcë parlamentare.

SYRIZA 21.7%

DRe 20.2%
PASOK 11.7%
Grekët e Pavarur 7.3%
Partia Komuniste KKE
5.5%
E majta Demokratike DIMAR 6.2%
Agimi i Artë 3.7%
Aleanca
Demokratike 2.5%
Të tjera 4%

Presidenti, Arvizu:Nano ka 71

nano

Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu deklaroi dje në mbrëmje se nëse Presidenti i ri i Shqipërisë do të zgjidhej me 71 vota dhe pas disa raundesh, kjo do të quhej një shans i humbur për vendin tonë.
I ftuar në emisionin “Zonë e lirë” të gazetarit Arian Çani, tha se Presidenti i dalë nga një proces i tillë do të pranohej nga SHBA, por nuk do të ishte një zgjedhje e mirë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin një president që del nga një mbështetje e gjerë votash në Kuvend. Sa për Presidentin nga PD, unë e kuptoj pse Berisha kërkon dikë që t’i besojë, por dhe që mund të ndikojë. Por, presidenti nuk është post në kabinet”, tha kryediplomati amerikan, i cili prej kohësh po bën thirrje për zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit me 84 vota.

Ai është pyetur për disa prej kandidatëve të mundshëm, ndonëse deri më tani procesi zyrtar i propozimit të tyre nuk ka nisur ende.

“Fatos Nano është kandidaturë mbresëlënëse. Mua më kanë informuar se në kohën kur ka qenë kryeministër ai ka qeverisur me bërthamë liberale. Nuk mund të them nëse do jetë ai Presidenti, por ai ka vlerat e një njeriu që i duhet politikës. Dheju siguroj se Fatos Nano po punon jo për 71, por për 84 vota”, tha Arvizu.

Lidhur me emrin e Jozefina Topallit, ambasadori amerikan në Tiranë ka vlerësuar besnikërinë e saj ndaj bindjeve personale dhe politike duke mos ndryshuar asnjëherë profilin si politikane.

“Ajo ka karizëm, por është etiketuar politikisht në një parti. Ndaj nëse kandidon ajo ka një sfidë përpara, sepse duhet të bindë opozitën që të votohet prej saj në Kuvend”, deklaroi ambasadori amerikan.

Çelsi, Kampion i Europës

cels-300x176

Veteranët e Çelsit kanë përmbysur të gjitha parashikimet duke fituar Ligën e Kampioneve, për të bërë realitet një ëndërr disavjeçare të këtij klubi. Londinezët e kanë bërë një gjë të tillë duke merituar nofkën “surpriza e sezonit”, pasi në vitin e tyre më të dobët në kampionat, mes shumë problemesh, kanë arritur fillimisht të eliminojnë gjigandët e Barcelonës, e tani të mundin në fushën e tyre Bajern Mynih.

Në një finale me mjaft tension, ashtu siç pritej ka qenë Bajern që ka patur iniciativën që në minutat e para duke kërkuar më me ngulm golin, ndërsa Çelsi ka përdorur taktikën e saj mbrojtëse duke mos lënë shumë hapësira në prapavijë. Kur mbrojtja e improvizuar e londinezëve nuk funksionon, mendon Peter Çeh të ruajë portën e tij me ndërhyrje të sigurta, duke ndalur tentativat e Gomez, Roben, Myler apo Riberi.

Emocionet më të mëdha të sfidës janë në 10 minutat e fundit të kësaj ndeshje, ku fillimisht është Tomas Myler që në minutën e 83-të kalon në avantazh ekipin bavarez me një gjuajtje me kokë. Duket se Bajern ka vënë duart mbi trofeun, por ka ide të tjera Didier Drogba, i cili me rastin e parë të rrezikshëm që i shfaqet, pas një goditje nga këndi në minutën e 88-të, barazon rezultatin me një gjuajtje me kokë.

Ndeshja shkon në kohët shtesë, ndërsa Bajern ka mundësi përsëri të kalojë në avantazh me penallti, pasi Drogba shkakton faull në zonë ndaj Riberi. Por nga pika e bardhë gabon Arjen Roben, me portierin Çeh që ndalon gjuajtjen e tij dhe mban në lojë ekipin e Çelsit.

Pas 30 minutave të tensionuara për të dy palët, skuadrat shkojnë në gjuajtjet nga pika e bardhë. Dukej se Bajern do të merrte këtë trofe nga penalltitë, pasi që në gjuajtjen e parë është Mata që hipnotizohet nga Nojer. Por Çeh gjen krahun e goditjes së Oliç dhe vendos përsëri barazinë. Vendimtare bëhen gjuajtjet e fundit të serisë. Shvajnshtajger gabon duke goditur shtyllën, ndërsa Drogba dërgon topin në rrjetë, duke i dhënë suksesin e parë evropian klubit të Çelsit.

Fitorja duket e pabesueshme edhe për faktin se vetëm 2 muaj më parë, kjo skuadër drejtohej nga një trajner tjetër, i cili ishte punësuar me qëllimin që të largonte të gjithë veteranët. Por pikërisht këta të fundit, tashmë nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm Di Mateo, kanë përmbysur çdo parashikim të mundshëm duke fituar Ligën e Kampioneve, për t’i dhënë fund në mënyrë të shkëlqyer një cikli të filluar 8 vite më parë./

Bayern-Chelsea, finalja e madhe e Champions

champions

“Kemi kualitetin për të fituar këtë kupë”. Deklaratë optimiste kjo e  Roberto Di Matteo, trajnerit të Chelsea-t para finales së Ligës së  Kampioneve përballë Bayern-it.

Tekniku italo-zviceran, i cili erdhi si trajner emergjent kërkon të hyjë në historinë e klubit londinez duke fituar kupën më të rëndësishme në Europë. “Ardhja deri këtu sigurisht që ka qenë e vështirë, – ka pohuar Di Matteo.- Gjithsesi lojtarët duan ta cojnë në shtëpi këtë trofe. Klubi i Chelsea-t dhe të gjithë tifozët tanë e meritojnë”.

Për skuadrën angleze do të mungojë kapiteni John Terry dhe Branislav Ivanovic të skualifikuar për kartona por rikthehen pas dëmtimeve David Luiz dhe Geri Kehill. Ndërkohë që Chelsea kërkon ta fitojë për herë të parë këtë trofe, Bajern Munich kërkon të futet në histori si skuadra e parë që fiton Championsin në stadiumin e vet.

“Një gjë është e qartë, të dyja skuadrat kërkojnë ta fitojnë këtë kupë, por ne jemi pak më të favorizuar, luajmë në fushën tonë, – ka pohuar Jup Heynkes.- Kemi mundësi të bëhemi pjesë e historisë së këtij aktiviteti, dhe kjo është dicka shumë e bukur”. Por në bazë të rregulluave të FIFA-s dhe UEFA-s, stadiumi bavarez vetëm për natën finale, do të quhet ‘Fußball Arena Munchen’.

Kompanitë e basteve europiane shohin Bayern-in si favoritin kryesor të kësaj supersife. 1.75 është kuotuar fitorja e bavarezëve në 90 minuta në lojë kundrejt 4.6 të asaj të Chelsea-t. Për bokmejkërsat skuadra gjermane mbetet favorite edhe nëse ndeshja shkon me shtesa ose gjithcka përcaktohet nga 11 metërshat.

Roben: Kjo është ndeshja e jetës për ne

robben-arjen

“Ndeshja e jetës”. Kështu e quan Arjen Roben finalen e 19 majit në  Champions League, ku Bajerni i Mynihut do të tentojë të mposhtë Çelsin  dhe të fitojë trofeun më të rëndësishëm për klube pas zhgënjimit të  vitit 2010.

“Championsi është një trofe që duhet fituar të paktën një herë në jetë dhe ky moment ka ardhur, shtoi holandezi. Gjatë këtij sezoni kemi treguar se jemi një prej skuadrave më të mira në Europë dhe shpresojmë që këtë ta tregojmë të shtunën në fushën e lojës. Një triumf do të ishte fantastik”.

Finalja vlen për prestigj, por do t’i shërbente Bajernit edhe për të harruar dështimin në kampionat.


Live video for mobile from Ustream